Sveçla i reagon Prokurorisë Speciale: Jeni nxituar me raportin e ekspertizës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka reaguar Prokurorisë Speciale lidhur me publikimin e raportit të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit.
“Astrit Dehari është tronditja qytetare ndaj shtetit për të cilën nuk mund të ketë qetësi deri në zbardhjen e plotë të rastit të tij. Jam shumë i vetëdijshëm që institucionet edhe mund të përballen me sfida të cilat janë komplekse dhe të ndjeshme njëkohësisht. Veçanërisht institucionet e rendit dhe të drejtësisë.Si Ministër i Punëve të Brendshme, e kuptoj rolin dhe përgjegjësinë që kanë të gjithë ata të cilët përmes detyrave të tyre i kontribuojnë sigurisë, zbatimit të ligjit, dhe kryerjes së punëve me përgjegjësi. Por jam i bindur që papërgjegjësia e kujtdo, veçmas kur shpërfaqet si tendencioze dhe qëllimkeqe duhet të sanksionohet”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ministri Sveçla tutje ka thënë se Prokuroria Speciale është nxituar lidhur me raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, që sipas tij, Prokuroria zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë.
“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”, ka shkruar më tej Sveçla.
Ai ka thënë gjithashtu se rasti duhet të hetohet pa asnjë ndikim e drejtësia të vihet në vend.
“Ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme”, ka thënë Sveçla.

Për raportin e ekspertizës së Institutit zviceran të publikuar më pas nga Prokuroria Speciale ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë, duke thënë se këta të fundit po manipulojnë e bëjnë propagandë me raportin e rastit Dehari./21Media

Back to top button