Sveçla reagon për lirimin e Pantiqit: Po sabotohet luftimi i krimit

Kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar sot me dorëzani, Dejan Pantiqin.

Sveçla, e ka cilësuar lirmin e Pantiq si sabotazh nga institucionet e drejtësisë ndaj punës që po bëhet në luftimin e krimit.

“Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani. Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës. Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka përfunduar ministri.

Ish-zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë, Dejan Pantiq, është liruar nga arresti shtëpiak me dorëzani 30 mijë euro.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se nuk kanë pranuar kërkesë nga ana e Prokurorisë Speciale që të njëjtit t’i vazhdohet kjo masë.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

Më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi të dyshuarit masën e paraburgimit me arrest shtëpiak./21Media

Back to top button