Sveçla takohet me ekipet që morën pjesë në konfiskimin drogës në Lipjan

 

Ministri i Punëve të Brendshme,  Xhelal Sveçla priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, si dhe zyrtarët e tre shteteve që morën pjesë në operacionin e suksesshëm të konfiskimit të rreth 400 kilogram substancave narkotike që u kapën dje në Lipjan.

Pala italiane dhe ajo shqiptare, vlerësuan lartë bashkëpunimin në mes tre vendeve, që bashkërisht në koordinim ndalën korridorin e depërtimit të substancave narkotike.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e hapur për bashkëpunime ndërkombëtare të luftimit të çfarëdo krimi. Policia e Kosovës është e gatshme që të marr pjesë në secilin operacion. Ju garantoj se si Qeveri do të jemi të pa kompromis në luftimin e të gjitha krimeve, sepse vetëm kështu krijohet një klimë e mirëbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit”, theksoi ministri Sveçla.

Në fund, ministri Svçela falënderoi ekipet që morën pjesë në këtë operacion, duke vlerësuar se bashkëpunimi i mirë mes tre shteteve ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme në luftimin e krimit transnacional.

Shtatë persona dje janë arrestuar pas sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë bëri të ditur Prokuroria dhe Policia e Kosovës në konferencë për media. Droga u kap në Lipjan në një kamion që mbante produkte mishi. Operacioni u krye në bashkëpunim ndërmjet policisë së Shqipërisë, policisë së Kosovës dhe policisë italiane./21Media 

 

Back to top button