Sveçla: Vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-shengen

 

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë.

Lidhur me këtë vendim reagoi sot ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se ende pa e nisur dialogun me Serbinë, Albin Kurti nisi zbatimin e Jugosllavisë së re. “Sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-shengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit. Kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ndërsa lidhur me shkrimin e Hoxhajt, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sveçla ka theksuar se vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-shengen, por siç tha ai ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë.

“Procesi i Berlinit është ide dhe nismë e Kancelarës Merkel, kurse zona mini-shengen apo më saktë Novi Sad është ide e Vuciq dhe mbështetet nga ai. Qeveria e Kosovës mbështet bashkëpunimin rajonal mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit mes palëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Në mbledhjen e sotme  Qeveria, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta dhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë./21Media

Back to top button