Syla i reagon Krajës: Pse o akademik Mehmet Kraja?

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, sot ka reaguar ndaj një shkrimi të akademik Mehmet Krajës, të publikuar në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Syla ia bën një seri pyetjesh kreut të Akademisë, për shkrimin që fillimisht u publikua pa autor nga ASHAK, e që pas reagimeve, u tha se e kishte shkruar Mehmet Kraja.

Ish-komandanti thotë se shkrimi ngjante sikur të ishte shkruar nga Beogradi, ndërsa Krajës i thotë se UÇK-ja është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës.
“Pse o akademik Mehmet Kraja arrite deri atje sa të shfrytëzosh emrin e institucionit më të lartë shkencor të Kosovës – Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – për të dhënë goditje kundër luftës dhe luftëtarëve? Çfarë zori të shtyu bre akademik?”, ka shkruar Syla mes tjerash.
Tutje, Syla ka pyetur Krajën se pse ka mendimin se askush nga udhëheqësit shqiptarë në gjithë hapësirën kombëtare nuk është i aftë të udhëheqë shqiptarët, nuk është i pastër të udhëheqë shqiptarët, nuk është i ditur të udhëheqë shqiptarët, nuk është me vizion të udhëheqë shqiptarët dhe ka shtuar duke u shprehur se Serbia nuk kthehet më.
Back to top button