Szunyog ia dorëzon Raportin e Komisionit Evropian edhe Konjufcës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Tomas Szunyog, me ç’rast nga ky i fundit pranoi Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Konjufca vlerësoi se dokumenti në fjalë pasqyron progresin e arritur si asnjëherë më parë dhe se i njëjti shërben si udhërrëfyes për institucionet tona shtetërore që të angazhohen edhe më shumë në përmbushjen e detyrave, sidomos në ato fusha ku mund të bëhet më shumë.
Ai tha po ashtu se ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjetjet e Raportit dhe përmes një plani të posaçëm veprimi do t’i adresojnë të gjitha të gjeturat, duke thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i përkushtuar për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.
Bëhet e ditur se kryeparlamentari Konjufca e njoftoi ambasadorin Szunyog përkitazi me punën e deritashme, arritjet, planet dhe sfidat e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit.
Ai ka përmendur edhe përmbushjen e konsiderueshme të agjendës legjislative, pastaj miratimin e Rregullores së re të punës, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, si dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, që prej kohësh nuk kishin arritur të miratoheshin, thuhet po aty.
“Është e rëndësishme të theksohet fakti se Kuvendi vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka arritur të miratojë 87 ligje, shifër kjo më e larta e arritur gjatë një sesioni”, ka thënë Konjufca.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.

Back to top button