Tahiri për Kurtin: Barazoi viktimat me kriminelët e vërtetë

 

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar në lidhje me viziten e kryeministrit Albin Kurti, në Bruksel.

Ku, për shkuarjen në Bruksel Kurti ka thënë takimi nuk është dialog me Serbinë por vetëm darkë tradicionale e liderëve të Ballkanit Perëndimor që shtrohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që njëherazi është edhe zëvendës president i Komisionit Evropian, Borrel.

“E gjithë bota e di se Serbia ka kryer krime në përmasa të gjenocidit edhe në Kosovë edhe në Bosnje, por për kryeministrin tonë, kriminelët e luftës nuk qenkan me adresë në Serbi. Ata qenkan të shpërndarë gjithandej në vendet e Ballkanit Perëndimor, aty ku bëjmë pjesë edhe ne. Ndonëse adresa e krimit dihet, sipas logjikës së kryeministrit Kurti i bie që përgjegjësia qenka e të gjithëve, edhe e jona. Historinë e rrejshme që Serbia po përpiqet ta instalojë si të vërtetë bashkë me argatët e saj, Kurti mbrëmë e legjitimoi si të tillë, duke mos guxuar ta thotë hapur se krime ka bërë Serbia dhe kriminelët gjenden në Serbi, e jo në Ballkanin Perëndimor si tërësi.Ne një herë jemi çliruar nga kriminelët, me 1999, atëherë kur Kosova u çlirua nga kryekrimineli Millosheviç. Të tjerë kriminelë që s’kanë dhënë llogari, i kemi kërkuar në Serbi, aty ku edhe gjenden. Por kryeministri do që t’i kërkojmë edhe në mesin tonë, sepse të tillë i do Serbia për veten e saj. Kjo është fatkeqësia me të cilën përballemi sot, kur kemi një kryeministër që për deficitet e komplekset e veta politike është në gjendje që heronjtë tanë t’i shndërrojë në kriminelë potencialë. Kështu na ka dashur edhe Serbia gjithmonë. Një vend që s’ka identitet dhe ku ata që i dalin asaj përballë, të njihen si kriminelë lufte, të mos gjenden as në institucione, as në jetën tonë politike e publike. Ai sot duhet të tregojë me emër e mbiemër, kush qenkan kriminelët e luftës në mesin tonë, që i dashka jashtë institucioneve? Duhet të japë llogari për këtë darkë turpi, ku në vend se të kërkonte llogari për 13 mijë civilë të  vrarë dhe për 1650 të zhdukur, ai i përgjithësoi e i barazoi viktimat me kriminelët e vërtetë”, ka shkruajtur Tahiri.

Kujtojmë se kryeministri Kurti, ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian në darkën tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet që s’e kanë njohur do ta çojë vendin drejt integrimit evropian./21Media

Back to top button