Takimi i Ohrit midis suksesit dhe dështimit

Para takimit të së shtunës në Ohër diplomatët evropianë dhe të SHBA-së kanë shtuar thirrjet për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mëngjesin e së shtunës shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do t’i takojë ndaras kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq përpara një takimi trepalësh.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tre ditë para takimit tha në Prishitnë se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.
Jeffrey Hovenier, ambasadori SHBA-së në Kosovë

“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Fokusi duhet të jetë të zbatimi i planit”., ka thënë ai.

Ndërkohë, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se se propozimi evropian është marrëveshja më e mirë e mundshme për Kosovën.

“Pra është krejtësisht e qartë, nëse kjo marrëveshje do të refuzohet nga Kosova, nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje më të mirë në tryezë”., ka deklaruar Sarrazin.

Pak ditë përpara takimit në Ohër, kryeministri Kurit ka pranuar ta nënshkruaj planin evropian, ndërkohë që presidentja Osmani ka thënë se me pranimin e planit Kosova ka bërë lëshime jo të lehta për shkak të Asociacionit.

Partitë në opozitë PDK dhe LDK ndërkaq, kanë kërkuar më shumë informacione për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Për analisten, Alma Laka, takimi i 18 marsit në Ohër do të hap për diskutim modalitetet për asociacionin që çon drejt një autonomie për serbët e Kosovës.

“Beogradi po kërkon që plani i zbatimit të jetë i qartë për asociacionin…Kosova nuk ka fituar asgjë me këtë plan sepse nuk detyrohet Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës…Kosovës nuk i garantohet ulësja në OKB…”. ka thënë ajo për RTV21.

Politologu, Fidan Ukaj, tha se nëse do të ketë marrëveshje në Ohër Kosovës dhe Serbisë do t’i hapet rruga për anëtarësim në BE. Por, sipas tij, takimi i 18 marsit mund të dështojë për shkak të kërkesës së Serbisë për Asociaciconin.

“Në takimin e 27 shkurtit në Bruksel kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq u pajtuan që të mos ketë diskutime të mëtutjeshme për propozimin evropian, por bisedimet do të vazhdojnë për aneksin e zbatimit.”, ka deklaruar Ukaj. Përgatiti: Burim Zariqi, Kamera: Lulzim FANA, Montazha: Burim ZARIQI/ 21Media

Back to top button