Të akuzuarit për vrasjen e Bedri Rexhepit deklarohen të pafajshëm

Është mbajtur seanca fillestare lidhur me vrasjen e biznesmenit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare lidhur me vrasjen e biznesmenit tani të ndjerit, Bedri Rexhepi, ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë deklaruar të pafajshëm.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti duke lexuar aktakuzën tha se nga 9 janari 2021 deri më 8 prill 2021, Jeton e Nexhat Vllasaliu kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta Bedri Rexhepin.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Jeton Vllasaliu, më 8 prill 2021, të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu dhe më pas Jeton Vllasaliunë mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta tani të ndjerin Bedri Rexhepin.
“Prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Jeton e Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta me qëllim të fitimit të dobisë pasurore tani të ndjerin, Bedri Rexhepin. Fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një ‘Range Rover’ dhe një ‘BMË X3’, për vlerën prej 30 mijë euro.Gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij dhe i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta tani të ndjerin Bedri Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave”, tha ai.
Po ashtu, sipas aktit akuzues, kufoma e të ndjerit, Bedri Rexhepi është dërguar në katin e tretë të shtëpisë, ku ishte kryerja vrasja dhe në pamundësi për ta varrosur kokën e të ndjerit e kishin mbështjell me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat Vllasaliu dhe e kishte lidhur me një litar.
“Pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjell kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar. Veturën e të ndjerit Bedri Rexhepi të tipit xhip e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë rrugës për Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit. Në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët”, theksoi ai.
Aktakuza thotë se më 9 prill i pandehuri Nexhat dhe Jeton Vllasaliu zhdukin kufomën duke e varrosur në Malin e Madh në Vllasali.
“Të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali, tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi” ,thuhej në aktakuzë.
I akuzuari Jeton Vllasaliu fillimisht i ka shprehur ngushëllime familjes për Bedri Rexhepin që më pas ngjalli edhe reagime, dhe më pas i pyetur nga kryetarja e trupit gjykues u shpreh se në disa pika nuk dihet fajtor.
“Fillimisht më lejoni të shprehi ngushëllime familjes…. Në disa pika jo”, theksoi ai.
Edhe i akuzuari tjetër, Nexhat Vllasaliu nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që ngarkohen.
“Jo(nuk ndihem fajtor)”, u shpreh i akuzuari tjetër.
Dy të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen edhe me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja, Medie Bytyqi njoftoi palët për të drejtën e tyre për kërkesën e hedhjes së aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.
Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej më 25 tetor, por me kërkesë të mbrojtjes ishte shtyrë. Arsyetimi i kësaj kërkese ishte se nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Back to top button