Të dielën mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se të dielën do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, për siç thotë ai, të sigurohen se gjithçka do të shkojë mirë me çështjen e ndërrimit të targave të serbëve në Kosovë dhe për dokumentet e përkohshme që do t’u jepen qytetarëve serbë që hynë në territorin e Kosovës.
“Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku do të diskutojmë me krerët e organeve e agjensive të ndryshme shtetërore dhe me disa ministra, çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. Ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme që nuk iu pëlqen ligjshmëria e kushtetuta dhe dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës. Andaj, kjo mbledhje është organizuar për të shikuar nëse janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është planifikuar për të zbatuar vendimin e Qeverisë”, ka thënë Kurti sot në konferencë për media nga Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga e hëna më 1 gusht 2022, do të fillojë lëshimi i dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Në të njëjtën ditë, do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të kthehen në targa RKS./21Media

Back to top button