Të rinjtë të brengosur për fatin e tyre në Kosovë 

YMCA shpall Manifesto për të rinj

Dega për Kosovë e Organizatës Botërore për të Rinj “YMCA” ka dalë me një Manifesto për të rinjtë pikërisht në këtë kohë të zgjedhjeve në nivel nacional.

Është në fakt, e njëjta formë e reagimit të rinjve ndaj politikave dhe politikanëve dhe mënyrë e shprehjes së kërkesave të tyre sikurse bëhet në shumë shtete të zhvilluara.

Tash edhe në Kosovë, “YMCA” ka disa kërkesa, të cilat në emisionin Bon Bon të RTV21 i shpalosi drejtuesja e “YMCA Kosova”, Dorina Lluka – Davies dhe ambasadorja e rinisë, Elda Brada.

Lluka – Davies ka treguar se kjo organizatë punon çdo javë me qindra të rinj dhe Manifesto është një model i ri i diskutimin publik ku shtjellohen tematika që kanë të bëjnë me jetën dhe problemet që i shqetësojnë të rinjtë, shkruan rtv21.tv

“Manifesto për herë të parë kur kemi dal është e bazuar në katër hulumtime, tri hulumtime janë bërë në nivel brenda shtetit, ne i kemi zhvilluar, ndërsa një është zhvilluar nga YMCA e botës, në nivel global që quhet ‘One Million Voices’ apo ‘ një mijë zëra’, ku të rinjtë prej shumë shteteve të botës flasin për problemet e tyre”, ka thënë Lluka – Davies.

Ajo ka treguar se nga të gjitha hulumtimet, janë nxjerrë tri problemet më kryesoret apo kërkesa që i kanë pasur të rinjtë kosovar.

“Vështirësia e parë që ata hasin çdo ditë është normal punësimi, e dyta fuqizimi i ligjit që ekziston për rini nga viti 2009, Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve që i ka udhëzime administrative, është në fuqi por nuk implementohet siç duhet dhe një numër i madh i të rinjve nuk e kanë ditur se ekziston dhe pika e tretë investimet kapitale” theksoi ajo, duke shtuar se nuk ka platformë të zhvillimi në edukimin joformal.

“ Kur i kemi pyetur se cili është problemi juaj më i madh, të rinjtë janë përgjigjur se nuk e shohin të ardhmen këtu, ose ndihemi shumë vetëm, askush nuk na dëgjon”, ka shtuar  Lluka – Davies.

Nga ana e saj, Brada tregoi si ndjehet dhe si e sheh të ardhmen ajo si një studente në Kosovë.

“ Për Manifesto ne i kemi marr diku rreth 470 të rinj që i kemi anketuar dhe 84 % e tyre kanë treguar se problem ose brengë e tyre është që pas disa vjetëve kur ata i përfundojnë studimet se çka do të bëjnë me atë. I njëjti problem dhe e njëjta brengë është edhe tek unë”, tha Brada.

Sipas saj, shumica e të rinjve besojnë se duhet ta lëshojnë Kosovën.

“ Shumica e të rinjve të Kosovës që është një fakt mjaftë brengosës, besojnë që duhet ta lëshojnë Kosovën dhe të shkojnë në vendet Evropiane, t’u e marr atë si të vetmin ngushëllim   dhe shpëtim për ta”, shtoi Brada.

Ajo theksoi se shoqëria civile dhe Qeveria e Kosovës, duhet të bëjnë më shumë që t’i mbajnë këta të rinj.

” Ne jemi e tashmja e këtij vendi dhe gjithashtu edhe e ardhmja”, përfundoi Brada./21Media

 

Back to top button