Hahn: Kosova të formojë Qeveri pro-evropiane

Hahn tha se Kosova duhet t’i përmbushë kriteret për heqjen e vizave

Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t’i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan REL.

Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina) të jenë pjesë e unionit. Në këtë aspekt, Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.

Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen serioz në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.

Back to top button