Të shtëna me armë në një aheng, reagon policia
Mbrëmë në fshatin Frashër të Mitrovicës në një aheng familjar pati edhe disa të shtëna me armë zjarri, e pas marrjes së kësaj informate, policia i shkuan në derë.
Lajmin për portalin rtv21.tv ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Më këtë rast policia ka sekuestruar një armë me shtatë fishekë dhe ka intervistuar një 19-vjeçar.
“Mbi bazën e informacionit fillestar janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër njësitet policore kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me çrast në vendin e ngjarjes, ku kishte aheng familjar, në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar një armë të llojit pistoletë dhe një karikator me shtatë fishekë dhe disa gëzhoja”, ka thënë Zahiti.
Zahiti tutje ka thënë se në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B. S., 19 vjeçar, ku pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari në fjalë është liruar në procedurë të rregullt. “Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale përdorim i armës dhe armëmbajtje pa leje”, ka konfirmuar policia./21Media