Teksti i kopjes së Kushtetutës së SHBA-e pritet të shitet në Sotheby’s

Teksti i parë i printuar i Kushtetutës së SHBA-ve, që është njëra prej dy kopjeve të njohura, do të shitet së shpejti në ankandin e Sotheby’s në New York.
Ky tekst do të ekspozohet për shitje me 13 dhjetor 2022 në New York, dhe vlera e tij llogaritet të jetë 20 deri në 30 milion dollarë.
Riçard Ostin është përgjegjës i departamentit të librave dhe dorëshkrimeve në Sotheby’s. Ai ka thënë se ky është njëri prej tri dokumenteve themelore të demokracisë në SHBA. Sipas tij, ky është akti më i vjetër themelues ekzistues për një qeveri në botë që akoma funksionon.
Ostin ka sqaruar se ky është teksti i parë i shtypur nga Kushtetuta e SHBA-ve. Sipas tij, njerëzit e kanë parë atë, por se ky është dokumenti aktual. Kopja tjetër u shit vitin e kaluar, ka thënë ai, andaj edhe tani në dorë kanë një pasuri të madhe të vendit, që do të shitet me 13 dhjetor.
Nëntorin e vitit të kaluar, kopja tjetër u shit në Sotheby’s për 43.2 milion dollarë, duke shënuar kështu rekord me shitje në radhë të çdo dokumenti historik, dorëshktimi apo teksti të printuar të shitur në një ankand.
Ostin ka treguar se çmimi fillestar i kopjes së parë ishte 15 deri në 20 milion dollarë, por ai i kaloi këto shifra. Tani presin të shohin se me çfarë çmimi do të shitet edhe kopja tjetër, ka thënë ai.
Teksti kopje i Kushtëtutës së SHBA-ve pritet të vendoset për shitje në selinë e Sotheby’s në New York./21Media

Back to top button