Ushtria serbe pretendon se ka rrëzuar një dron komercial në Kopaonik

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.
“Droni është rrëzuar duke përdorur masa të bllokimit elektronik, në afërsi të objekteve ushtarake në garnizonin e Rashkës”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Tutje ministria ka thënë se në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq, marrin masa të shtuara për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e mjeteve ajrore pa pilot pranë objekteve ushtarake. thuhet në deklaratë.
Raportohet se ushtria serbe do të vazhdojë, të rrëzojë të gjitha mjetet ajrore pa pilot të gjetura në zonën e ndalim-fluturimit dhe në afërsi të objekteve ushtarake.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka hedhur poshtë pretendimet se fluturakja e vërejtur mbi zonën e Rashkës ka ardhur nga territori i Kosovës dhe i ka vlerësuar këto akuza si “arsyetim për shtimin e numrit të trupave të ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën” dhe “mjet për përhapjen e panikut te qytetarët”.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur autoritetet në Kosovë kanë nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS (Republika e Kosovës).
Plani me tri faza i Qeverisë së Kosovës, nisi së zbatuari më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri më 21 prill 2023./21Media

Back to top button