Teleferiku, zgjidhje për Kodrën e Diellit! Kasami: Këtë vit plani urbanistik

Edhe pse Qendra Turistike “Kodra e Diellit” këtë vit ka pista më të mira për skijim, mungesa e parkingjeve, mungesa e një plani të detajuar urbanistik për shtëpizat e fundjavës dhe mosfunksionimi i teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit ishte debati publik i organizuar në Kodrën e Diellit ku pjesëmarrës ishte kryetari i komunës, Bilall Kasami.

Ai u zotua se komuna gjatë këtij viti do ta përfundoj planin e detajuar urbanistik për lagjen e vikend-shtëpizave nga ku edhe do të krijohen kushte për investime të tjera.
“Ne si pushtet lokal duam të tregojmë gatishmërinë tonë dhe interesim te ne që me gjithë institucionet e nivelit qendror të ulemi seriozisht edhe të bisedojmë dhe nga fjalët të kalojmë në vepra dhe Kodra e Diellit një herë e përgjithmonë të jetë një qendër atraktive turistike. Përkushtimi ynë është që atë që e kemi si përgjithësi sa i përket planit detal urbanistik që gjatë vitit 2022 përfundimisht te kemi një plan të miratuar urban”, deklaroi Kasami.
Burim Islami nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” tha se shpëtimi është ndërtimi i teleferikut Tetovë-Kodër e Diellit.
“Theks i veçantë dhe kryesor për ne është teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit dhe lusim sot institucionet që janë sot prezent, mes vete të krijomë një harmoni pune dhe deri ku u takon çështjet, si për shembull nëse i takon “Elem Turs-it”, t’i hap derën dhe për komunën e Tetovës edhe aty ku i takon komunës Tetovës të hap derën edhe për institucionet”, tha Islami.
Këshilltari komunal, Hamdi Sulejmani u shpreh se tashmë komuna është interesuar dhe ofertat e para janë ndërtimi i një teleferiku.
“Nga informatat e para që i kemi ofertat janë nga 16 deri në 20 milionë ku janë paraparë aty dhe sa vendparkime do të duhen poshtë në zonën ku fillon teleferiku “Liseci” dhe më tej”, deklaroi Sulejmani.
Në debatin publik ishin edhe përfaqësues të hoteleve edhe shtëpizave të vikendit, ndërsa sa i përket zhvillimit të Kodrës së Diellit ka një studim, i cili ka paparë që në këtë qendër turistike të ketë 30 mijë turistë njëkohësisht. Muaj më parë edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka bërë apel deri te komuna e Tetovës që të ulen bashkë për të zhvilluar këtë qendër turistike, por gjatë ditës së sotme Bekteshi nuk u paraqit në këtë debat, edhe pse sipas komunës së Tetovës, ka pasur ftesë, raporton TV21./21Media

Back to top button