Temat që e karakterizuan javën

Mobilizimi i institucioneve të sigurisë dhe rrëzimi i Qeverisë

Iniciativa dhe përkrahje për rrëzimin e Qeverisë pati gjatë gjithë javës në vendin tonë. Derisa u tha se në fund të javës së ardhshme do ta procedojnë këtë temë në Kuvend, përfaqësues të pozitës iu kthyen opozitës se nuk mund ta rrëzojnë Qeverinë. Gjithashtu, gjatë javës ishte temë diskutimi edhe demarkacioni me Malin e Zi, kurse, si shqetësim ishte edhe siguria në Kosovë.

Të hënën u kuptua se Qeveria e Kosovës mund të përballet edhe me një vendim tjetër të gjykatës ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ende nuk dihet se si do të përfundojë beteja ligjore mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Axos GMBH. Në vitin 2010 Qeveria e kishte filluar procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës. “Axos” ishte shpallur fitues pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 përqind të aksioneve në “Vala” e Telekom. Privatizimi i nuk kishte ndodhur pasi që në fund të vitit 2014 deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk e kishin votuar privatizimin e saj.

Qeveria e ka dërguar në Arbitrazh çështjen e Postës dhe Telekomit, pasi që kompania fituese AXOS e ka paditur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investove (ICSID) për shkak se pasi që kishte fituar për ta blerë postën, ajo nuk ishte votuar në Kuvend.

Në lidhje me këtë opozita ia lë fajin tërësisht partive në pushtet, pasi që thonë se duhet të ketë më shumë seriozitet para se të hyjnë në kontrata ndërkombëtare. Deputeti Enver Hoti, anëtar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, thotë se shteti është përgjegjës dhe se nuk është treguar serioz me kompanitë që i ka kontraktuar. Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Faton Topalli tha se shteti duhet të jetë më serioz karshi kompanive ndërkombëtare, pasi sipas tij dalin jo serioz para botës.

Për të parandaluar dëmin financiar që mund të vijë nga padia e AXOS, Qeveria në mbledhjen fundit ka marrë vendim për t’i ndarë 150 mijë euro, mjetet këto për mbulimin e shpenzimeve për ekspertiza profesional. Këto mjete janë prezantuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë. Ndërsa, ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Shukri Buja thotë se do ta përkrahë mocionin e iniciuar nga opozita për rrëzimin e Qeverisë.

Ai në një intervistë për KP ka thënë se kryeministri Isa Mustafa duhet të shkojmë tashmë në pension. Ndërsa sipas Bujës kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi, pasi që nuk arriti t’i përmbyll proceset e mëdha për vendin. Buja thotë se koalicioni LDK-PDK, i cili ishte jo parimor, ka dështuar në shumë procese dhe s’ka arsye që të vazhdojë më tutje, por duhet t’u jepet hapësirë zhvillimeve të reja.

Reagimi i përfaqësuesve diplomatik të akredituar në Kosovë, të institucioneve të Kosovës e shumë akterëve tjerë, ka bërë që deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj të martën të sqaroi deklaratën e tij dhënë ditë më parë rreth reagimit që do të ndodhte në vend, në rast të ekstradimit të vëllait të tij, Ramush Haradinajt në Beograd.

Ai në Kuvend ka thënë se një deklaratë të tillë e ka dhënë me plotë vetëdije, porse ajo deklaratë është kapur për bishti dhe kujt i ka konvenuar ajo le të mbajë përgjegjësi.

Jo vetëm deputetët e opozitës e përkrahin mocionin e mosbesimit për Qeverinë e iniciuar nga kreu i Nismës për Kosovën Famtir Limaj. Ky mocion po gjen mbështetje dhe nga disa deputetë të partive në pushtet. Është deputeti Gëzim Kelmendi, i cili thotë se do të votojë pro këtij mocioni, i cili kërkon rrëzimin e Qeverisë. Për rrëzimin e Qeverisë është edhe deputeti i PDK-së Shaip Muja. Ai madje thotë se është i pari që ka kërkuar rrëzimin e kësaj Qeverie, e cila sipas tij sa më parë duhet të shkojë në shtëpi. Por shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri mendon se nuk ka arsye dhe as mundësi , që të rrëzohet kjo Qeveri, e cila sipas tij ka qenë mjaft e suksesshme.

Ndërkaq Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, e cila si shefe e GP të Nismës e ka për obligim që të mbedhur 40 nënshkrime për mocionin e mosbesimit, thotë se mocioni është iniciuar pas llogaritjeve të bëra, mbi bazën e deklaratave dhe të deputetëve të pozitës, të cilët janë shprehur kundër kësaj Qeverie. Bajrami tha se që nga sot ata do të fillojnë t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme, për procedimin e këtij mocioni në Kuvendin e Kosovës.

Por deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Glauk Konjufca thotë se edhe pse përkrahin iniciativën e Nismës, ende nuk kanë vendosur, se si do të orientohen sa i përket këtij mocioni, sa i përket mbledhjes së nënshkrimeve. Edhe Pal Lekaj nga AAK thotë se ata do ta përkrahin çdo iniciativë, që si qëllim ka rrëzimin e kësaj Qeverie. Ndryshe, partitë opozitare duhet t’i mbledhin 40 nënshkrime për procedim të këtij mocioni në Kuvendin e Kosovës si dhe 61 vota të deputetëve, për të votuar rrëzimin e Qeverie.

E të mërkurën në mbrëmje është mbledhur Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të diskutuar për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat sipas afatit duhet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Po ashtu, kjo parti ka votuar pro demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, tha se duhet filluar me përgatitjet sa më të shpejta për zgjedhjet lokale, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të rregullta dhe të mbahen mbi bazën e procedurës që i përcakton Komisioni Qendror Zgjedhor, të mos ketë asnjë lëshim në zgjedhje, të krijohen kushte që sa më shumë që qytetarë e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Mustafa po ashtu gjatë mbledhjes së Këshillit qendror, tha se janë arritur objektivat themelore që LDK-ja i ka pasur të përcaktuara në fushën e zhvillimit ekonomik, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në fushën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, në arsim dhe shëndetësi, që kanë qenë pikat kryesore dhe prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kurse pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, e cila zgjati rreth tre orë, Mustafa tha para mediave se LDK-ja me degët e saj e përkrahin plotësisht liberalizmin e vizave dhe demarkacionin. Mirëpo, deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-s, Vjosa Osmanit, nuk i është dhënë fjala. Ajo pas mbledhjes së Këshillit, pohoi se nuk i është dhënë fjala, po ashtu tha sa i përket demarkacionit, kishte diskutime pro dhe kundër. Ajo pohoi se edhe pse kishte një numër të anëtarëve të LDK-së që e kërkuan fjalën, nuk iu dha fjala, sepse diskutimet u ndërprenë në gjysmë nga anëtarët e Këshillit të përgjithshëm.

E enjtja ishte dita ku Kosovën e vizitoi ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel dhe senatori amerikan John McCain. Derisa Gabriel ka thënë se është i rëndësishëm ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, pasi që pastaj do të vijë liberalizimi i vizave. Senatori amerikan John McCain, u tha deputetëve se pret nga ta që ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që Kosova të ec përpara drejt integrimeve evropiane.

Por të premten kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se pret që të kenë vendimmarrje në Kuvend dhe Qeveri, përndryshe hup kuptimi i vazhdimit të koalicionit, kurse, opozita nuk mundet t’i rrëzojë. Ndërsa për çështjen e sigurisë në vend, ai i ka ftuar qytetarët që të jenë sa më vigjilente. Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar nga Nisma, ka thënë se janë në fazën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe pret që deri në fund të javës së ardhshme të procedojnë në kryesi. Kurse, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nuk dha ndonjë afat se kur Qeveria do ta dërgojë në Kuvend demarkacionin me Malin e Zi.

Mobilizimi i Policisë me orar shtesë, urdhri për mbajtje të jelekëve antiplumb, si dhe urdhri për shtim të forcave rreth kishave dhe në rrugët që të çojnë në Maqedoni ka shkaktuar panik te qytetarët. Por kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi se nuk do të lejohet asnjë organizatë të kërcënoj sigurinë e qytetarëve dhe liderëve institucional.

Në anën tjetër, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë vlerësime të ndryshme rreth kërcënimeve për sulme të mundshme terroriste në Kosovë. Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala tha për KosovaPress se Kosova nuk është e kërcënuar nga askush, por se alarmi për sulme të mundshme terroriste në Kosovë, ka qenë ndoshta më shumë alarm test. Sipas Shalës, gatishmëria e Policisë së Kosovës nuk duhet të dërgojë panik tek qytetarët, por duhet të përçojë siguri. Sipas tij, çdo gatishmëri e institucioneve të sigurisë për t’u ballafaquar me elemente të padëshirueshme, duhet të përçojë siguri, e jo panik. Por njëjtë nuk mendon edhe deputetja e PDK, njëherit anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së Ganimete Musliu.

Ditëve të fundit u paralajmëruar se Kosova mund të përballet me sulme terroriste, për çka u tha se Policia ka ndërmarr hapat e nevojshme për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt. Një paralajmërim për shtetasit e vet e lëshoi edhe ambasada amerikane në Prishtinë, e cila u bënte thirrje atyre që të rrinë të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre. Derisa, policia ka arrestuar edhe një person, i cili përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për sulm terrorist. I arrestuar është Rakip Abdyli nga Opoja, por me vendbanim në Pejë.

Back to top button