Tensionet në kufirin ukrainas, Putin kërcënon perëndimin me masa “ushtarako-teknike”

 
Teksa tensionet në kufirin ukrainas vazhdojnë të jenë të ngritura, sekretari për siguri kombëtare amerikane ka biseduar me homologun e tij rus për mundësinë e dialogut diplomatik. Presidenti rus në anën tjetër ka deklaruar se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarako-teknike”.
Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan i ka thënë homologut të tij rus, Yuri Ushakov se Uashingtoni është i gatshëm për t’u angazhuar në diplomaci rreth pozicionit të trupave ruse afër Ukrainës, mirëpo secili dialog duhet të zhvillohet në përputhje me aleatët dhe partnerët në Evropë.
Sullivan ka biseduar përmes telefonit me Ushakov, në kohën e rritjes së tensioneve në Evropë për shkak të pranisë së rreth 100,000 trupave ruse afër kufirit me Ukrainën.
Rusia e mohon se kjo prani flet për pushtim potencial të Ukrainës, mirëpo e pranon se forcimi i marrëdhënieve mes Ukrainës dhe NATO-s, shihet me shqetësim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Sullivan “e ka bërë të qartë se secili dialog duhet të bazohet në reciprocitet dhe duhet të adresojë shqetësimet për veprimet e Rusisë, dhe se duhet të zhvillohet në koordinim të plotë me aleatët evropianë”.
Moska ka prezantuar javën e kaluar një listë të temave që dëshiron të negociojë, përfshirë premtimin se nuk do të ketë zgjerim të NATO-s në lindje, ashtu sikurse kufizim të aktivitetit ushtarak të aleancës veri-atlantike në Evropën Lindore, përfshirë bashkëpunimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Psaki e ka përsëritur pozicionin amerikan se kombet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin aleancat e tyre dhe se marrëdhënia e NATO-s në Ukrainën “është çështje vetëm e Ukrainës dhe 30 vendeve tjera anëtare”.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ushakov i ka thënë Sullivanit se Moska është e gatshme që të nisë bisedimet për garanci në siguri dhe se Rusia do të përfaqësohej në këto bisedime nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov. Ryabkov ka thënë se Moska ende nuk ka marrë përgjigje nga SHBA-ja.
Presidenti rus, Vladimir Putin në anën tjetër tha se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarako-teknike” në përgjigje të veprimeve “jomiqësore” të Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Putin për javë të tëra ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën Veri-Atlantike se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet për një konflikt të mundshëm.
“Në rast të vazhdimit të qëndrimit, dukshëm agresiv, të kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarako-teknike”, tha Putini gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.
Rusia “do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”, tha Putini, duke shtuar se ai dëshiron “të theksoj se kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë”.
Putin gjithashtu tha se ai nuk do t’i besonte garancive të sigurisë, nëse Uashingtoni do t’i ofronte për Moskën.
“Ne na duhen garanci ligjore afatgjate”, tha ai, duke paralajmëruar se nuk mund t’u besojnë atyre, sepse SHBA-ja lehtësisht tërhiqet nga të gjitha traktatet ndërkombëtare kurdo që Uashingtoni humb interesin për to./21Media

Back to top button