Tërmet i dyfishtë, 22 të vdekur në mesin e tyre edhe fëmijë

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën deri më tani pasi tërmetet e njëpasnjëshme goditën perëndimin e Afganistanit të hënën, thanë zyrtarët.
Sipas të dhënave nga Shoqëria Gjeologjike e SHBA (USGS), tërmetet me magnitudë 4.9 dhe 5.3 kanë prekur provincën veriperëndimore të Badghis, ku shkaktuan shembje shtëpish dhe ndërtesash.
Një zëdhënës i tha AFP se katër fëmijë ishin në mesin e atyre që u gjetën të vdekur në rrënoja, transmeton rtv21.tv.
Më shumë se 700 shtëpi ishin dëmtuar si pasojë e tërmeteve.
Tërmetet mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në Afganistan, ku shumë banesa nuk janë aq të qëndrueshme apo të ndërtuara mirë.
USGS kapi dy tërmete të hënën, të cilët goditën rreth 50 km nga Qala-e-Naë, kryeqyteti i provincës.
Tërmeti i parë ra pasdite dhe i dyti pasoi rreth dy orë më vonë. Ndikimi i tij u ndje më shumë në rrethet Kadis dhe Mugr.
Ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit analizojnë rrënojat në rajonin e largët.
Badghis në veri-perëndim kufizohet me Turkmenistanin. Konsiderohet si një nga rajonet më të pazhvilluara dhe më të varfra të Afganistanit.
Afganistani i varfër ende po lufton me një barrë të madhe borxhi dhe furnizime të pamjaftueshme, të përkeqësuara pas marrjes së pushtetit nga talebanët në gusht./21Media

Back to top button