Termokos do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50% të lagjeve të Prishtinës

Prioritet i Termokosit për vitin 2020, janë fillimisht ‘Ulpiana’, ‘Dardania’ dhe ‘Mati 1’.

Termokos sot publikoi rezultatet e projekteve që janë realizuar vitin e kaluar dhe projektet që pritet të realizohen këtë vit. Drejtues të ndërmarrjes gjatë një konference për media bënë të ditur se furnizimi me ngrohje gjatë vitit 2019 ka qenë më i mirë, ku përmirësim i madh ka pasur në Bregun e Diellit dhe lagjen e universitetit, teksa sivjet do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes në 50% të lagjeve në Prishtinë, nga 28% sa ishte deri tash.

Kryeshefi ekzekutiv, Arsim Fetahu tha se 2019 konsiderohet si viti më i suksesshme në historinë e Termokosit. Ai tha se pjesa dërmuese e konsumatorëve janë të kënaqur me shërbimet e ofruara.

“Definitivisht viti i kaluar ka qenë më i suksesshmi në historinë e Termokosit, duke pasur parasysh të arriturat të cilat do t’i shpalosim tash. Gjatë vitit 2019 furnizimi me ngrohje ka qenë shumë i mirë, ku pjesa dërmuese e konsumatorëve tonë janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes, gjithashtu dallim këtë vit ka bërë edhe furnizimi kualitativ i ngrohjes së Kodrës së Diellit, i cili deri tash ka pasur probleme të theksuara, mirëpo për fat të mirë është rregulluar… Prodhimi i energjisë termike ka qenë 232.246 MWh, rritje 5% në vitin 2019 me shumë se viti 2018, që ka qenë prodhimi më i madh që ka qenë ndonjëherë në Termokos. Liferimi i energjisë termike ka pasur rritje për 9.6 për qind në raport me vitin 2018.”, tha Fetahu.

Sipas tij humbjet e energjisë gjatë vitit 2019 kanë pasur rënie nga 10% në 8%, që është shume e rëndësishme për përmbushjen e nevojave në aspektin teknik.

Fetahu tha se lagjet që do të jenë prioritet i Termokosit për vitin 2020, janë fillimisht ‘Ulpiana’, ‘Dardania’, ‘Mati 1’.

Ndryshe, Termokos është themeluar në vitin 1970, si kompani e ngrohjes qendrore.

Back to top button