Thaçi dorëzon raportin për dialogun, s’ka draft-marrëveshje

Së shpejti pritet takimi i radhës i Ekipit Negociator në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot i ka dorëzuar dy bashkëkryesuesve të Ekipit Negociator, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit raportin që ndërlidhet me dialogun. Pas takimit me presidentin, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj në një konferencë për media kanë bërë të ditur se çka përmban ky raport.

Ahmeti ka thënë se ky raport është zyrtarisht një raport i përditësuar për delegacionin shtetëror mbi fazën përfundimtare të dialogut. Ai ka bërë të ditur se në këtë raport të presidencës është raportuar mbi temat që janë diskutuar, si tema e të zhdukurve, trashëgimia kulturore, pronat, të drejtat e minoriteteve e tjera.

“Nuk ka draft-marrëveshje, sipas presidencës. Kjo na u konfirmua.”, ka thënë Ahmeti.

Po ashtu, Ahmeti ka bërë të ditur se përmes këtij raporti janë konfirmuar se kanë ndodhur 3+1 takime, e i katërti nuk ka ndodhur për shkak se pala serbe është tërhequr për shkak të taksës.

Ndër tjerash, Ahmeti ka thënë se nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin, qoftë me republikën e Serbisë. Ndërsa për fund ka bërë të ditur se takimi i radhës në Bruksel do të zhvillohet së shpejti.

Ndërkaq, Fatmir Limaj ka thënë se në këtë takim është diskutuar vetëm për dialogun, nuk kanë diskutuar për temat tjera. Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, ka thënë se i kanë pasur disa pyetje për presidentin, por që nuk i kanë bërë publike për mediat.

Ekipi negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj pas takimit me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, që e kanë mbajtur më 8 janar ka deklaruar se në takim është prezantuar delegacioni dhe janë paraqitur kërkesat e Kosovës. Në një prononcim për media bashkë-kryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti ka thënë se ata i bënë të qartë Mogherinit se cili është roli i këtij delegacioni dhe siç ka thënë ai, i shpreh gatishmërinë të diskutojmë temat e hapura me Serbinë.

Ahmeti në një prononcim për medie, ka thënë se kushti primar është njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button