Martirët dhe dëshmorët e Reçakut, themeli i lirisë dhe pavarësisë

Sot bëhen 20 vjet nga maskara e Reçakut

Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi  me rastin e 20 vjetorit të maskarës së Reçakut ka përkujtuar këtë masakër si një kthesë të madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi është shprehur se martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë, të cilën sot e gëzon Kosova.

“Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare, ka shkruar Thaçi.

Sipas Thaçit dëshmorët e Reçakut janë themelimi i pavarsisë.

“Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare. Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sot bëhen 20 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kishin kryer njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak. Më 15 Janar 1999, në atë ditë të kobshme në Reçak ishin vrarë e u masakruar barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. /21Media 

Back to top button