Thaçi: Udhëheqja e re e BE-së të tregojë vizion, guxim dhe lidership

Presidenti në Bruksel

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Bruksel, me ç’rast po merr pjesë në samitin “Ballkani Perëndimor në mes të Shpresës dhe Realitetit”, të organizuar nga Friends of Europe.

Në samit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë, sipas presidentit, janë në një udhëkryq të madh politik dhe historik.

Thaçi tha se nuk është hera e parë që Ballkani është në një situatë të tillë sfiduese, të ndërlikuar, madje edhe të rrezikshme. Por, sipas tij, do të duhej të ishte hera e fundit.

“ ‘Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor’ vetëm krijoi bindjen se Bashkimi Evropian po i jep shtytje vendimtare synimit të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në familjen evropiane, por të gjitha ngjarjet që pasuan na përgënjeshtruan të gjithë neve. “Fuqia e butë” e Bashkimit Evropian karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor është në zbehje e sipër. Disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor po ballafaqohen me tendenca të prapakthimit në stabilizimin e demokracisë dhe po shohim rritje të populizmit dhe nacionalizmit. Ballkani është bërë fushëbetejë gjeopolitike dhe në këto rrethana, shtyrja për më vonë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, rishikimi i gjithë kësaj ndërmarrjeje, nuk është opsion, nuk është zgjidhje, nuk është shtegdalje. Në realitet, ky opsion është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Thaçi në Facebook.

Në fund, Thaci theksoi se udhëheqja e re e Bashkimit Evropian duhet të tregojë vizion, guxim dhe lidership, duke u bërë partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor./21Media

Back to top button