Tragjedia në Bullgari, të lënduarit pritet të lëshohen deri në fund të javës

Mjekja e kirurgjisë plastike, Maja Argirova ka njoftuar se 7 të lënduarit nga aksidenti i 23 nëntorit në Bullgari janë në gjendje stabile dhe se deri në fund të javës pritet të lëshohen nga spitali.
“Deri në fund të javës pritet të lëshohen nga spitali, më së voni deri në fillim të javës tjetër”, tha Argirova para mediave, transmeton TV21.
Paraprakisht njoftoi se në kirurgjinë plastike janë të shtruar 6 të lënduar, ndërkaq 1 është në traumatologji.
Dje, përveç intervenimeve kirurgjikale, pacientëve u është dhënë edhe ndihmë psikologjike.
Ndërkaq, më 23 nëntor në Bullgari, në autostradën Struma, pas rrokullisjes dhe marrjes flakë të autobusit të “Besa trans”, vdiqën 45 persona dhe u lënduan 7 të tjerë. Udhëtarët ishin duke u kthyer në Shkup nga Stambolli – Turqia pas një ekskursioni 3 ditor./TV21

Back to top button