Trajkoviq lirohet nga spitali: Maska “pro-evropiane” ka rënë

Rada Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, njoftoi  se të shtunën në orën 6:00 është liruar nga spital për mjekim në shtëpi.
Ajo përmes një postimi në Twitter  kritikoi qeverinë e Serbisë, ndërkohë falënderoi politikanët në Kosovë dhe Serbi  të cilët sipas saj e përkrahën.
Trajkoviq ka kritikuar në Twitter Qeverinë e Serbisë, duke thënë se nuk priste më mirë nga regjimi.
„Nuk prisja më mirë nga regjimi. Ditët e fundit kanë ekspozuar fytyrën e tyre të vërtetë. Maska ‘pro-evropiane’ ka rënë dhe ne të gjithë e dimë tani me kë kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtarët dhe abuzojnë me ligjin për të shkatërruar këdo që i pengon, qoftë serb, shqiptar, kroat. .. Nëse kjo më ka ndodhur mua, të cilin publiku e njeh mirë si dikë që ka 20 vjet që lufton për serbët në KS, atëherë e njëjta gjë mund t’i ndodhë kujtdo”, ka shkruar Trajkoviq.“
Ajo shtoi se regjimi ka humbur të gjithë kuptimin e asaj që është e pranueshme në Evropën moderne. “Dje ishte një rikthim në të kaluarën e errët.”, shkroi Trajkoviq.
Rada Trajkoviq është pranuar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Aleksa Saviq” në Prokuplje.
Që nga ora 19:30 e së enjtes, Rada Trajkoviq u ndalua në vendkalimin kufitar në Merdare nga policia serbe kur tentoi të kthehej në Serbinë qendrore. Trajkoviq u mbajt ne vendkalim kufitar ne Merdare mbi 14 orë derisa gjendja e saj u përkeqësua. Institucionet në Kosovë e cilësuan të papranueshëm ndalimin e saj dhe thanë se po bëjnë përpjekje me partnerët ndërkombëtarë ta lirojnë.
Trajkoviq bëri përgjegjës presidentin Vuçiq për sigurinë e saj dhe fëmijëve të saj. Ky i fundit pak javë më parë e quajti Trajkoviqin dhe Ministrin e ri për komunitete, Nenad Rashiq, “plehra” serbe, pak pasi morën detyrën.
“Asnjë burrë shteti në rajon nuk kryen këtë lloj torture mendore ndaj disidentëve politikë”. Këtu ju keni fituar në diçka, ju jeni barbari më i madh anti-evropian në tokën ballkanike!”, ka shkruar Trajkoviq duke iu drejtuar presidentit serb Vuçiq./21Media

Back to top button