Treshja e “Open Balkan” do të shkojë në Samitin e BE-së

Pas dilemave për të shkuar ose jo në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vendosën njëzëri që të marrin pjesë. Vendimin e bënë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale. Kryeministri Kovaçevski shkruan se këtë po e bëjnë që edhe njëherë t’i tregojnë Evropës se nëse nuk ka progres në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, besueshmëria e Unionit do të lëkundet seriozisht.
“Përderisa nuk sigurohet progres në procesin eurointegrues, ky do të jetë problem serioz dhe goditje mbi besueshmërinë e Bashkimit Evropian në Ballkan. Qëndrimet tona në këtë temë do t’i përcjellim në mënyrë të përbashkët në Samitin e BE për Ballkanin Perëndimor, në forum të gjerë në qendër të diplomacisë evropiane”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Në një reagim në Twitter, pjesëmarrjen në Samit e BE-së e konfirmon edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Ne do të marrim pjesë në takimin e Këshillit Evropian. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë që të dëgjohemi në idenë e komunitetit të ri politik evropian të cilin ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur i cili çon përpara shpirtin e Evropës dhe për kidnapimin tonë nga Bullgaria I cili e shkatërron atë”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shkruar se temat që do t’i flasin në Samit nuk do të jenë të lehta. Vendimi për pjesëmarrje dhe qasje të përbashkët në samitin e Brukselit, e quan një tjetër hap drejt progresit, por edhe një sinjal të qartë se pavarësisht pengesave të shumta, vazhdojnë të japin kontribut konstruktiv në rrugën e integrimit evropian.
“Jemi të vetëdijshëm se temat që do të diskutojmë në Samit nuk do të jenë të lehta, por pjesëmarrja jonë do të tregojë dhe konfirmojë edhe një herë përkushtimin tonë në rrugën evropiane të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, pohoi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Përndryshe, presidenti i vendit Stevo Pendarovski në një intervistë për “24Vesti” deklaroi se e ka këshilluar kryeministrin Kovaçevski se nuk duhet të shkojë të enjten në Samit. Sipas Pendarovskit, Kovaçevski nuk ka çfarë të kërkojë në Bruksel, veçanërisht që në takimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve-anëtare të BE-së, pala bullgare ka dhënë kërkesa të reja për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut. Në samitin e Bashkimit Evropian, që zhvillohet nesër dhe pasnesër, 23- 24 qershor në Bruksel, ku do t’u jepet statusi i kandidatit dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa do të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor./TV21

Back to top button