Tri vjet pa Adem Demaçin

Sot bëhen tri vjet që kur ka vdekur veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi është lindur më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë, ndërsa ka vdekur më 26 korrik të vitit 2018.
Demaçi shte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera. I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 85-vjeç.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi ka vuajtur 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi ishte liruar, ai menjëherë kishte vazhduar aktivitetin e tij politik. Ai është quajtur edhe Nelson Mandela i Evropës.
Demaçi ka udhëhequr Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 ishte nderuar nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur ishin duke u mbajtur takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Demaçi ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, pasi ai me punën dhe me veprën e tij, ishte bërë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij ishte shndërruar në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e Gjakut”, i cili ishte ndaluar nga regjimi ish-komunist.
Në kujtim të trevjetorit të shkuarjes në amshim, sot përurohet libri i Adem Demaçit “Burgjet e mia- fati im i madh”, në selinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në orën 10:00.

Back to top button