Trump e quan fitore marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë – Beograd

Pas arritjes së marrëveshjes,  reagon Trump

Arritjen e marrëveshjes për realizimin e linjës ajrore Prishtinë- Beograd, Presidenti i Amerikës, Donald Trump e ka quajtur fitore.

Ai përmes një postimi në Twitter duke falënderuar ambasadorët, Robert O’Brien dhe Richard Grenell, ka deklaruar se pavarësisht se të tjerët nuk e besonin një gjë të tillë realizmi i linjës të fluturimeve direkte midis Kosovës dhe Serbisë u bë.

“Të gjithë thanë se nuk do të bëhet. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit Ambasadori @WHNSC Robert O’Brien dhe Ambasadori @RichardGrenell!”, ka shkruar Trump.

Kompania Eurowings dhe Grupi Lufthansa kanë nënshkruar dje në Berlin një marrëveshje, e cila synon realizimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka mirëpritur edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Kurse, President i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button