Turqia kërkon hetim ndërkombëtar për shkatërrimin e digës në Ukrainë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka folur me homologët e tij si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi dhe bëri thirrje për një hetim të përbashkët për të përcaktuar shkakun e shkatërrimit të digës Kakhovka.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur në rrezik përmbytjeje si pasojë e incidentit.

Turqia është përpjekur të luajë një rol ndërmjetësues gjatë luftës në Ukrainë.

Zyra e Erdogan thotë se ai i tha presidentit rus, Vladimir Putin një hetim gjithëpërfshirës ishte i nevojshëm për të përcaktuar se si u dëmtua diga. Ai sugjeroi se Turqia mund të krijojë një komision ndërkombëtar për ta kryer këtë së bashku me OKB-në.

Më herët Erdogan i bëri të njëjtin propozim presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Deklarata e Zelensky për thirrjen nuk përmend sugjerimin e një komisioni dhe thotë se ata diskutuan “pasojat humanitare dhe mjedisore të aktit rus të terrorizmit”.

Udhëheqësi i Ukrainës thotë se i dha Erdoganit një listë me “nevoja urgjente për të eliminuar fatkeqësinë”, duke shtuar se “zëri i Turqisë është i rëndësishëm kur bëhet fjalë për tërheqjen e trupave pushtuese nga territori ukrainas”.

Kremlini nuk ka dhënë ende deklaratën e tij në lidhje me thirrjen, por më parë ka mohuar të jetë përgjegjës për shkatërrimin e digës./21Media

Back to top button