U arrestua trafikanti më i kërkuar në Kolumbi

Autoritetet kolumbiane deklaruan se arrestuan Dario Antonio Usuga David, alias Otoniel, kreu i klanit ”Del Golfo” dhe trafikanti më i kërkuar në vend.
”50-vjeçari u kap nga një forcë e përbashkët e përbërë nga ushtria, aviacioni dhe Policia Kombëtare, në rajonin e Urabas në departamentin e Antioquia, në veriperëndim të Kolumbisë. Kjo është goditja më e rëndë… ndaj trafikut të drogës në këtë shekull në vendin tonë”, tha presidenti Ivan Duque në një konferencë shtypi dhe shtoi se arrestimi ishte i krahasueshëm me vrasjen e bosit të drogës, Pablo Escobar në vitin 1993.
“Alias Otoniel ishte bosi i drogës më i frikshëm në botë, një vrasës i policisë, ushtarëve, aktivistëve lokalë. Ky është fundi i klanit ‘Del Golfo”, shtoi presidenti.
Usuga David akuzohet për krime të ndryshme duke përfshirë trafik droge, vrasje, zhvatje, rrëmbim dhe konspiracion.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në pesë milionë dollarë për informacionin që çonte në arrestimin dhe/ose dënimin e tij.
Klani ”Del Golfo”, i quajtur më parë ”Los Urabenos” dhe ”Clan Usuga”, është një organizatë e armatosur rëndë, e përbërë nga ish-anëtarë të organizatave terroriste që nuk u çmobilizuan si pjesë e procesit të paqes të qeverisë kolumbiane.

Back to top button