U lirua nga spitali një pasagjer që ishte lënduar në aksidentin në Kroaci

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri të ditur se një pasagjer, që është lënduar në aksidentin e autobusit kosovar në Kroaci, sot u lirua nga spitali.
Ministri deklaroi se gjendja shëndetësore e pasagjerit Blerim Krasniqit është stabile. “Falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij.”, shkroi Sveçla në facebook, me ç’rast u shpreh se ka falënderuar autoritetet kroate.
“I kam dërguar letër falenderimi Ministrit të Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Policisë Lokale dhe Kryebashkiakut të Slavonski Brod, për angazhimin e madh në aksidentin që u mori jetën 10 qytetarëve tanë. Kam pranuar përgjigje të menjëhershme me shqetësimin mbi ngjarjen por edhe obligimin që kanë ndjerë për kujdesin ndaj të gjithë qytetarëve të aksidentuar. Kemi shprehur të dyja palët gadishmërinë për bashkëpunim, me shpresë që do të takohemi në rrethana të tjera të konkretizojmë punët e ti finalizojmë suksesshëm ato.”, shkroi tutje Sveçla.
Ndryshe, në aksidentin e 25 korrikut në Slavoncki Brod kanë vdekur 10 qytetarë që ishin duke ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë. Autobusi i agjencisë “Deva Tours” ishte i linjës Frankfurt – Prishtinë dhe në të kanë qenë 69 persona, përfshirë edhe dy shoferët, njëri prej të cilëve ka vdekur në vend./21Media

Back to top button