Udhëtimet në BE mund të kushtëzohen me dozën e tretë të vaksinës
Komisioni Evropian (KE) ka propozuar që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim brenda Bashkimit Evropian për qytetarët e të ashtuquajturës, botës së tretë, në të cilën përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.
Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm, datë nga e cila asnjë udhëtar nuk do të mund të hyjë në BE pa dozën e tretë.
Edhe qytetarët e Bashkimit Evropian do të duhej të kenë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID-19 nëse duan të udhëtojnë në një shtet tjetër brenda bllokut verën e ardhshme, pa pasur nevojë për teste ose karantinim, propozoi Komisioni Evropian të enjten.
Sipas këtij propozimi, doza e vaksinës së tretë kundër COVID-19 duhet të jetë marrë më së voni nëntë muaj nga doza e dytë, në mënyrë që udhëtarët të mund të udhëtojnë brenda shteteve të BE-së. Vaksina duhet të jetë njëra prej atyre të miratuara nga Agjencia evropiane për Ilaçe (EMA).
Që nga marsi i 2022-s, BE-ja pritet të heqë dorë nga qasja e të ashtuquajturave ‘shteteve të sigurta’ me ç’rast shtetet shtoheshin ose largoheshin nga lista varësisht nga situata epidemiologjike.
Lista përditësohej çdo dy javë andaj shtetet shtoheshin ose largoheshin nga ajo. Që nga viti i ardhshëm, udhëtimet do të lejohen në bazë individuale vetëm për personat e vaksinuar me të tri dozat.
“Po largohemi nga qasja bazuar në shtetin drejt qasjes individuale. Kjo nënkupton që të gjithë njerëzit e vaksinuar mund të hyjnë në BE. Nëse jeni të vaksinuar me vaksinë të miratuar nga Komisioni Evropian, mund të udhëtoni në BE”, njoftoi Ylva Jonhansson, komisionere evropiane për Punë të Brendshme.
Reduktime për ato që njihen si udhëtime të parëndësishme, BE-ja i futi në fillim të vitit të shkuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.
Përgjatë sezonit veror këtë vit ishin lehtësuar kushtet për udhëtim por numri në rritje i personave të infektuar me koronavirus detyroi BE-në që sërish të ashpërsojë masat.
Në territorin e Bashkimit Evropian është miratuar përdorimi i vaksinave të prodhuesve Moderna, Pfizer/BioNTech, Johnson and Johnson si dhe Astra-Zeneca.
Njëkohësisht në Kosovë ende nuk është miratuar imunizimi i qytetarëve me dozën e tretë të vaksinës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave përforcuese por vendimi ende nuk është marrë.
Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave./Rel