Ukraina po heton rreth 14 mijë raste të krimeve të luftës

Kryeprokurorja e Ukrainës i ka thënë BBC-së se po heton pothuajse 14 mijë raste të krimeve të dyshuara të luftës nga forcat ruse.
Duke folur në Londër në udhëtimin e saj të parë jashtë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, Iryna Venediktova ka thënë se 100 deri në 200 raste të reja regjistrohen çdo ditë.
Ajo ka takuar prokuroren e përgjithshme të Britanisë, Suella Braverman, dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë më shumë Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë për të mbështetur procesin e hetimit, përcjell rtv21.tv
“Sot kemi afër 14 mijë raste, vetëm për krime lufte, dhe afër 6 mijë raste të ndërlidhura. Kjo do të thotë se ne kemi një numër të madh precedentësh dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më shumë”, ka thënë Venediktova.
Ajo ka theksuar se krimi më i zakonshëm i supozuar i luftës është bombardimi i ndërtesave civile, veçanërisht spitaleve dhe shkollave. Në total, ajo ka thënë se më shumë se 1 mijë ndërtesa mjekësore dhe arsimore janë shkatërruar.
Ajo ka thënë gjithashtu se civilët po vriten, dhe ka plaçkitje dhe përdhunime.
Venediktova gjithashtu ka zbuluar se ajo madje ka filluar të hetojë akuzat për gjenocid.
“Unë jam absolutisht dakord që ne në Ukrainë kemi gjenocid. Pse? Sepse ata, dua të them, komandantët e lartë rusë erdhën në Ukrainë, për të shkatërruar shtetin ukrainas, për të vrarë të gjithë ukrainasit, dhe ata duan që kjo tokë të jetë si një pjesë e Federata Ruse”, ka thënë prokurorja, duke shtuar se do të ishte e vështirë të hetohej gjenocidi në territorin e kontrolluar nga Rusia.
Venediktova ka pranuar se Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë duhet të luajë një rol në ndjekjen penale të liderëve të lartë rusë për pushtimin, madje edhe Vladimir Putinin.
“Ne të gjithë e kuptojmë se ky është një peshk i madh, është një peshk për drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë Venediktova./21Media

Back to top button