Me qëllim që Ulqini t’i kthehet traditës së vjetër janë duke bërë disa investime

Me qëllim që Ulqini t’i kthehet traditës së vjetër janë duke bërë disa investime

Përfaqësues të komunës së Ulqinit para kompanive turistike të Kosovës e kanë prezantuar ofertën turistike të këtij qyteti bregdetar për pushuesit kosovar, për të cilët u premtua lehtësi kufitare dhe çmime të volitshme.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq u shpreh se me qëllim që Ulqini t’i kthehet traditës së vjetër janë duke bërë disa investime infrastrukturore që do shpejtojnë ardhjen e pushuesve kosovar në Ulqin. Ai tha se qëllimi është që të rritet sezoni turistik edhe në aspektin ekonomik, turistik dhe kulturor, pasi siç u shpreh Nrekiq edhe interesim për investime nga shqiptarët është rritur dukshëm. Duke premtuar furnizim me ujë dhe energji elektrike 24 orë, i pari i Ulqinit tha se janë duke punuar për ofrim më të madh për parkingje  përmes projektit parking servil.

Kreu i Ulqinit u shpreh se janë duke punuar që edhe pjesët e lashta të Ulqinit si Shasi të investohet dhe të bëhen hapësira atraktive për vizitorët. “Qëllimi i Ulqinit është që ta shtyjmë sezonin turistik, të jetë sa më i gjatë sezoni turistik sepse me dy muaj me punua me jetua tërë vitin nuk është askund në botë. Synimi jonë është që në çdo aspekt kulturor, turistik dhe ekonomik të gjitha këto fusha t’i përmbledhim  asisoj të jetë jo ndër qytetet më të pazhvilluara në rajon e Mal të Zi, por të jetë një ndër komunat më të zhvilluara në Mal të Zi. Duhet dhe stafi ynë dhe i komunës bënë çmos që me hapa sa më të shpejt, me dinamik më të shpejt të zhvillojnë Ulqinin”, u shpreh Nrekiq.

Zëvendësministri i Turizmit në Mal të Zi, Qazim Hoxhiq u shpreh se për 20 përqind është rritur numri i vizitorëve në Mal të Zi krahasuar me vitin 2017. Ai tha se Mali i Zi për të gjithë turistët kosovar ka në dispozicion mbi 430 plazhe, dhe risi turistike janë edhe zhvillimi i etno fshatrave. Hoxhiq u shpreh se çmimet për akomodim në plazhet e Malit të Zi do të jenë të njëjta me vitin e kaluar. “Mali i Zi është i përgatitur me 438 plazhe dhe 380 janë plazhe publike, 45 janë zona të hoteleve dhe 7 plazhe kanë një qëllim të posaçëm…Numri më i madh i gjithë këtyre plazheve që përmendëm është në Ulqin, parqet nacionale që është Durmitori, Liqeni i Shkodrës, Mali i Bigradit,Bjeshkët e Nemura po ashtu ofrojnë një qëndrim të rehatshëm dhe interesant për ju turistët që vini në Mal të Zi, që vini në Ulqin dhe ditët tjera i ndani po ashtu në lëvizjes.. Çmimet do të mbesin në çmimet e vitit të kaluar do thotë duke filluar nga 6 euro në akomodim privat, duke filluar nga 15 euro në hotelet me 2 dhe 3 yje dhe në hotelet 4 yje nga 30 euro në bazë të shtratit dhe mëngjesit. Dua të cek që 415 hotele në kapacitet mbi 40 mijë shtretër që janë 171 janë katër dhe pesë yje në Mal të Zi”, tha ai.

Kurse, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka tha se nga data 26 prill e këtij viti do fillojë sezoni turistik me Maj Fest e do vazhdojë pastaj i gjithë sezoni me festivale të shumta përmes të cilave do të argëtohen pushuesit kosovar. Ai tha se fëmijët kosovar do të mund të lëvizin drejt Malit të Zi vetëm me certifikatë të lindjes gjatë sezonit veror, si dhe do ketë edhe lehtësira të tjera kufitare.

Gjeka ka apeluar tek pushuesit që nga qiradhënësit të kërkojnë t’i lajmërojnë ata me qëllim që të dihet se sa pushues nga Kosova po e vizitojnë Ulqinin. “Çmimet janë në nivelin më të ulët në bregdetin e Malit të Zi ose në rajon në aspektin me atë se çfarë ofron me kapacitet që ofron Ulqini dhe me atë që ofrojnë edhe qiradhënësit por edhe plazhet mendoj që jemi me çmime më të ulëta…Ka ardhur vendimi që të gjithë mysafirët që vijnë nga Kosova mund të kalojnë me kalim selektiv për mos tu bërë kallabllëk edhe fëmijët kur nuk kanë pasaporta ose letërnjoftime munden edhe me certifikatë të lindjes…Edhe ditët në vazhdim deri në përfundim të sezonit turistik do vazhdoj kjo rregullativ e qarkullimit të turistëve”, tha Gjeka.

Gatishmërinë për bashkëpunim në fushën e turizmit e ka ofruar edhe drejtori i Departamentit të turizmit në MTI,  Halil Bajrami i cili u shpreh se komuniteti i biznesit në Kosovë ndihmojnë në identifikimin e barrierave që i hasin gjatë aktivitetit të tyre afariste.“Bashkërisht me Qeverinë e Malit të Zi konkretisht me ministrinë e Turizmit në Mal të Zi çdo herë kemi pasur gatishmërinë e bashkëpunimit në sektorin e turizmit dhe akoma e kemi këtë gatishmëri tash vetëm jemi duke një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit ku në atë marrëveshje bashkëpunimi do të përfshihen përparësitë të cilat i kemi për zhvillim të turizmit të përbashkët duke filluar nga turizmi ndër kufitar por edhe turizmi  rajonal, po ashtu edhe do t’i identifikojmë ndihmën e sektori privat gjegjësisht operatorëve turistik të të dyja vendeve, pengesat të cilat mund t’i eliminojmë bashkërisht në mënyrë institucionale”, tha Bajrami.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive turistike të Kosovë.