UNDP e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Mirjana Spoljaric Egger, ndihmëse e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, njëherësh ndihmës administratore e UNDP dhe drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura (CIS), së bashku me Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Kosovë, Tahmina Anvarova, specialiste e Strategjisë dhe Partneriteteve të UNDP në RBEC dhe Marta K. Gazidedën, zëvendëskordinatore e programit të UNDP në Kosovë.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit dhe UNDP-së, si dhe për planet dhe projektet e ardhshme që pritet të realizohen. Gjithnjë në frymën e forcimit të partneritetit, u shtrua nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit të Kuvendit me parlamentet e vendeve tjera, në veçanti për zhvillim të qëndrueshëm dhe fusha të tjera në interes të vendit.
Me këtë rast, Mirjana Spoljaric Egger konfirmoi përkushtimin e UNDP për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt me institucionet e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi vlerësoi lartë rolin mbështetës të UNDP-së në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, shprehu njëkohësisht gatishmërinë për bashkërendimin dhe thellimin e partneritetit të ndërsjellë./21Media