UNDP i dhuron pajisje mbrojtëse Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

 

 

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVID-19, dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë siguroi sot 1,750 maska dhe 190 dezinfektues.

Këto pajisje do të lejojnë që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, si dhe shtatë zyrat e saj rajonale të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive dhe të sigurt.

Valbona Bogujevci, ndihmës përfaqësuese e përhershme dhe koordinatore eprogramit në UNDP, Anita Kalanderi, drejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike falas dhe Ardian Latifaj, menaxher i projektit në UNDP ishin të pranishëm në dorëzimin që u bë në sheshin “Nënë Tereza”. Dorëzimi u zhvillua gjatë fushatës aktuale “Java e Ndihmës Ligjore” që është duke u zbatuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Gjatë pranimit të donacionit në emër të stafit, drejtoresha e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së, përfshirë edhe në kohë krizash të tilla si COVID-19.

UNDP tha se është e përkushtuar që të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës gjatë pandemisë për t’u mundësuar atyre ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e mbrojtjes së jetëve të njerëzve në mënyrë sa më efektive.

Back to top button