Urdhërdhënësit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës janë në Beograd!

E marta e 26 prillit ka shënuar edhe një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të gjashtin që nga 13 prilli.
Sulmet që janë duke ndodhur po e dëshmojnë edhe njëherë që urdhërdhënësit janë në Beograd dhe qëllimi primar i tyre është kundër rendit kushtetues dhe shtrirjes së autoritetit të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Kështu deklaroi për rtv21.tv Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës, sipas tij, janë duke ju qasur në dy nivele këtij problemi në veri të vendit, ku në njërën anë janë duke vazhduar mbledhjen e informacioneve për kryesit e sulmit dhe në anën tjetër duke ofruar siguri të përgjithshme për gjithë qytetarët e saj.
“Sa i përket sigurisë mekanizimi ndërkombëtar është duke harmonizuar veprimet në terren me institucionet e vendit për të ofruar mundësi dhe qasje edhe në informacionet të mbledhura nga ana e KFOR-it të cilët janë duke patrolluar në veri të vendit”, tha Shala.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë, tha për rtv21.tv se sulmet e vazhdueshme në veri vijnë si pasojë e asaj se dikujt nuk po i shkon përshtati që kjo pjesë e Republikës së Kosovës të ofrojë për qytetarët jetë normale dhe me dinjitet.
Ai thotë se me sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është rrezikuar rendi kushtetues dhe qetësia publike.
“Moszbulimi i këtyre rasteve dhe atakimi në mënyrë të sinkronizuar lë të nënkuptohet se organet e sigurisë të Republikës së Kosovës duhet që ta rrisin shkallën a gatishmërisë, vigjilencën dhe gjithnjë të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare, pra KFOR-in, pasi ky i fundit është i mandatuar nga ana e Këshillit të Sigurimit dhe me marrëveshjen e Kumanovës, që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial vendit, njëkohësisht dhe sigurinë e brendshme”, tha Islami.
“Duke pasur parasysh pozita e veriut të Kosovës, e cila kufizohet me Serbinë, kryesit e këtyre veprave shumë shpejt mund të ikin atje. Prandaj është më se e nevojshme që të fillojë bashkëpunim më intensiv i organeve të sigurisë me KFOR-in, në mënyrë që mbasi është e mandatuar të lëvizë atje dhe të zbulohet kryesit e këtyre veprave që po shkaktojnë krizë dhe pasiguri në veri të Kosovës”, shtoi profesori.
Sipas tij, janë dy orientime apo pika ku mund të referohemi se nga po vijnë sulmet.
“E para gjatë veprimeve që ka ndërmarrë Policia e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, kontrabandës e tash së fundi edhe ndaj lëndëve narkotike, karteleve të drogës ose udhëheqësve të krimit të organizuar po u cenohet interesi i tyre. Shumë lehtë mund të vijë që atakimi i Policisë të bëhet nga këto grupe kriminale. Strukturat paralele të Serbisë mund të kenë gisht në gjuajtjen me armë zjarri ndaj Policisë, por vlen të theksohet se të dyja kokën e kanë në Beograd sepse asnjëra nuk ndërmerr asnjë veprim pa ndikimin e Beogradit”, përfundoi Islami.

Më 26 prill, Policia e Kosovës bëri të ditur se në orët e hershme të mëngjesit pjesëtarët e saj janë sulmuar me armë zjarri në afërsi të Zubin Potokut. Sipas Policisë, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk pati zyrtarë policorë të lënduar. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për pesë sulmet ndaj Policisë në veri.
Ditë më parë, KFOR-i ka dënuar ashpër sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Nga KFOR-i, për rtv21.tv kanë thënë se konfirmojnë gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe nëse kërkohet./21Media

Back to top button