Uruguai rrezikon të mbetet jashtë botërorit

Krizë totale te Uruguai që rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës Katar 2022.
Dy herë kampionët e botës u shkërmoqën edhe nga Bolivia në La Paz pasi u mposhtën me rezultatin e thellë 3-0 duke pësuar humbjen e 4-t radhazi dhe duke zbritur në vendin e 7-të të renditjes.

Pa Edison Cavanin dhe me Luis Suarez jo në formën optimale dhe që e nisi ndeshjen nga stoli, Uruguai i ndikuar nga edhe nga lartësia prej 3637 metrash mbi nivelin e detit e stadiumit Hernando Siles, përfaqësuesja celeste e pa pisk që në pjesën e parë ku pësoi dy gola nga Arce në të 29-ën dhe Marcelo Moreno në të 45-n.

As hyrja e El Pistoleros në fillimin e pjesës së dytë nuk solli asnjë ndryshim te skuadra e Oscar Tabarez me Bolivinë që fillimisht humbi një 11-metërsh me Marcelo Morenon në minutën e 62-të ndërsa në të 74-ën mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Algaranaz.

Megjithatë vendasit edhe një lojtar më pak ishin më të fortë se Uruguai duke shënuar dhe golin e 3-të me sulmuesin Juan Arce në minutën e 84-t.

Me këtë fitore Bolivia u ngjit në kuotën e 15 pikëve, 1 më pak se Uruguai dhe tashmë ka shanse reale për të pretenduar vendin e 4-të që mbahet nga Kolumbia me 17 pikë.
Po aq sa edhe Peruja që bëri detyrën në transfertën ndaj Venezuelës së vendit të fundit duke fituar me shifrat 1-2.
Gianluca Lapadula u dha avantazhin bardhekuqëve në pjesën e parë. Por në fillimin e pjesës së dytë sulmuesi i Granadas Darwin Machis barazoi shifrat për Venezuelën. Për t’i dhënë tre pikët Perusë mendoi i përhershmi Christian Cueva që shënoi golin e 5-të në këto eliminatore në minutën e 65-të.
Me fat peruanët tre minuta më pas pasi Machis humbi një 11-metërsh që mund t’i kishte dhënë një pikë Venezuelës në këtë sfidë.

Back to top button