​USAID me kampanjë në Javën kundër korrupsionit me sloganin “Lyp llogari për paret tua”

USAID ka lansuar sot kampanjën në kuadër të shënimit të Javës kundër korrupsionit me sloganin “Lyp llogari për paret tua”, e cila synon integritetin e komunave të Kosovës që të promovohet llogaridhënia, integriteti dhe transparenca në të gjitha nivelet e qeverisjes në të mirën e qytetarëve.

Drejtoresha e aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, Maia Gogoladze tha se ky aktivitet do të jetë një hap përpara kundër korrupsionit. Ajo u shpreh se luftimi kundër korrupsionit ka shumë sfida, por në partneritet me qeverisjen qendrore dhe komunale do të luftohet dukuria e korrupsionit.

“Mendojmë se ky do të jetë një hap mjaft i mirë përpara kundër luftimit të korrupsionit apo uljes së rreziqeve të korrupsionit. Një tjetër arritje e mrekullueshme, arritje e përbashkët që do të doja të veçoja është krijimi… për njësinë pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku që nga themelimi i saj në vitin 2018, EPRC ka mundur të identifikojë dhe dorëzojë për ndjekje penale 300 raste për rrezik potencial mashtrimi dhe rrezik potencial korrupsioni. Kjo është një arritje shumë e mirë. Duam të theksojmë gjithashtu arritjen e përbashkët me EPRC-në dhe OSHP-në, ku jemi të lumtur të themi se për sot aktualisht, kemi një sistem prokurimi që funksionon në mënyrë shumë efikase, dhe seanca të transmetimit të drejtpërdrejtë për rastet e korrupsionit. Pra, ja ku jemi sot, jo vetëm për të theksuar arritjet tona, arritjet e përbashkëta, por edhe për t’i kujtuar vetes se ka ende një sërë sfidash të rëndësishme në procesin e luftimit të korrupsionit, në mënyrë që të vazhdojmë bashkëpunimin, të vazhdojmë partneritetin me kolegët tanë, me partnerët tanë nga qeverisja qendrore dhe komunale, në mënyrë që së bashku të arrijmë rezultatet më të mira për qytetarët e Kosovës në luftimin e kësaj dukurie shumë të rrezikshme siç është korrupsioni”, tha Gogoladze.

Vlora Spanca nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), u shpreh se raportet e korrupsionit janë në masë të madhe. Sipas saj në Prokurorinë e Shtetit nga viti 2018 deri 2022 janë dërguar rreth 300 raste të korrupsionit në projekte kapitale.

“Fatkeqësisht, edhe raportet në masë të madhe e kanë shpalosur mangësitë në projektet kapitale ku fillohen pa buxhet të mjaftueshëm, pa projekt ekzekutiv, pa u shpronësuar tokat, pronat dhe pa u bërë matjet gjeomekanike. Gjatë rrugës projekti nuk implementohet në kohën e duhur, kërkon buxhet shtesë, ka mundësi për mashtrim dhe korrupsion. Rastet e tilla ne i kemi dërguar te Prokurori i Shtetit, janë rreth 300 raste për vitin 2018-2022 dhe vetëm për 2022 kemi dërguar 51 raste te Prokurori i Shtetit”, u shpreh Spanca.

Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj tha se sfidë kryesore e prokurimit mbetet planifikimi jo i duhur, transparenca dhe mbikëqyrja e kontratave.

“Në vitin që vjen si sfidë kryesore e shoh personelin, pasi ka filluar të ndihet mungesa e tyre. Vetëm në vitin që e kemi lënë ose për një periudhe një vit e gjysmë në komisionin rregullator të prokurimit publik janë larguar tetë persona. Sfidat kryesore të prokurimit janë planifikimi, themeli i prokurimit publik. Një planifikim i keq dërgon në procedurë. Te vlerësimi i tenderëve është rritur në masë të madhe transparenca, por vlerësimi i ofertave bëhet në mënyra arbitrare. Numri i ankesave të anuluara sipas një analize që kemi bërë ka rezultuar mbi 20%, duke anuluar procedurat e prokurimit pa arsye të parapara në ligj. Pjesa e tretë është e ndjeshme. Është mbikëqyrja e kontratave te ne në Kosovë një ndër pikat më të dobëta ku nuk bëhet menaxhimi i duhur i kontratave. Edhe këtu është që nuk ka njerëz të profileve të caktuara të kësaj pjese profesionale si inxhinier”, tha Vishaj.

Ndryshe, raporti i Komisionit Evropian për Kosovën një vëmendje i ka kushtuar edhe luftës që ka bërë Kosova kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se vendi ynë është në mes të një faze të hershme në luftën kundër këtyre dy dukurive.

Sipas raportit, Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

“Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është avancuar, mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht. Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar vazhduan. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, thuhet në raport.

Back to top button