Vashat e Kosovës më të mirat në turneun “UEFA Development”
Kombëtarja e Kosovës U-16 për vajza ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e tretë në turneun “UEFA Development” që prej 7 deri më 12 mars u mbajt në Kamëz nën organizim të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kësisoj, vajzat dardane dolën më të suksesshmet në këtë turne, me tri fitore. Në ndeshjen e parë fituan ndaj Andorrës, më pas kundër Shqipërisë (pas penalltive) dhe sot kundër Moldavisë, me rezultat 6:2. Nga dy gola i shënuan Riga Kallaba dhe Olsa Maqestena, derisa Liza Hoxha dhe Loela Ahmeti kontribuuan me nga një gol. Përzgjedhësja e kësaj grupmoshe, Albina Rrahmani u shpreh e lumtur me paraqitjen e ekipit në këtë turne.
“Formati i këtij turneu është zhvillimor, prandaj ndeshjen e fundit e filluam me vajzat që kanë pasur më pak minuta në fushë. Kemi vajza që kanë potencial, që me një punë intensive mund të jenë brum i mirë për të ardhmen. Po mundohemi që të punojmë sa më shumë me këto vajza, por kemi pak ditë në dispozicion në grumbullime të këtilla. Gjithsesi, këto vajza duhet të punojnë më tepër në klubet e tyre. Në ndeshjen e sotme vajzat u paraqitën shumë mirë dhe u vërejt përmirësim i dukshëm nga ndeshja e parë. Ato u paraqitën më të komponuara, kishin vendosje më të mirë në fushë dhe bashkëvepruan më shumë me njëra-tjetrën. Si staf jemi të kënaqur me rezultatet e arritura dhe shpresojmë që këto fitore do të jenë motivim për vajzat që të punojnë më shumë”, ka theksuar Albina Rrahmani.