Vdiq aktori Adam Rich

Në moshën 54 vjeçare ka vdekur aktori Adam Rich, i cili më së miri shquhej për portretizimin e Nicholas Bradfordit në serialin klasik të viteve ’70, “Eight is Enough”.
Një burim brenda policisë ka bërë të ditur për portalin “TMZ”, se aktori është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles. Ende nuk është bërë i ditur shkaktari zyrtarë i vdekjes, por thuhet se policia nuk po e konsideron këtë një vdekje të dyshimtë.

Gjatë pesë sezoneve të transmetimit, Adam e portretizoi djalin e vogël të familjes Bradford në serialin “Eight is Enough”, ku luajti krahas aktorëve, Dick Van Patten, Lani O’Grady, Connie Needham dhe Grant Goodeve.
Më vonë ai luajti në serialin i zhanrit aksion, “Code Red”, e huazoi zërin për personazhin Presto the Magician në filmin e animuar, “Dungeons and Dragons”, si dhe paraqitjen e fundit në ekran e shënoi në vitin 1993 me një rol të vogël në serialin “Baywatch”.
Gjatë gjithë jetës, Adam është përballur me varësinë nga droga. Në vitin 1992 ai iu nënshtrua tretmanit për gjendjen e tij në klinikën “Betty Ford”. Megjithëkëtë, dhjetë vjet më vonë aktori u arrestua për ngasje të veturës nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Teksa po largohej nga burgu, deklaroi se kishte dhjetë vjet që nuk kishte konsumuar substanca narkotike.
Pas vdekjes, publicisti i aktorit, Danny Deraney, e kujtoi atë si një burrë të dashur i cili kurrë nuk deshi të jetë i famshëm.
Back to top button