Vdiq aktorja e njohur në moshën 45-vjeçare

Annie Wersching, e cila e portretizoi Renee Walkerin në serialin “24”, ka vdekur në moshën 45-vjeçare.
Zëdhënësi i aktores e konfirmoi lajmin për “The Hollywood Reporter”, duke bërë të ditur se Wersching, e cila në vitin 2020 u diagnostikua me kancer, vdiq të dielën në Los Angeles.
“Sot në shpirtin e kësaj familjeje ekziston një vrimë e madhe. Por, ajo na la mjetet për ta mbushur këtë zbrazëti. Ajo ishte person që e gjente mrekullinë në momentin më të thjeshtë. Asaj nuk i nevojitej muzikë për të kërcyer. Annie na mësoi të mos presim që aventura të na gjejë, përkundrazi na mësoi t’i gjejmë ato vet sepse aventurat e jetës janë kudo. Dhe ne do t’i ndjekim këshillat e saj përgjithmonë”, deklaroi bashkëshorti i saj Stephen Full përmes një komunikate për media.
Wersching e pati një rol dytësor në serialin hit “24”, ku e portretizoi një agjente speciale të FBI-së krahas aktorit, Kiefer Sutherland, në sezonin e shtatë dhe të tetë të serialit. Ajo po ashtu e portretizoi Julia Brasherin në serialin “Bosch”, duke u shfaqur në dy sezonet e këtij projekti dhe në serialin e bazuar në librat komik “Marvel”, “Runaways”, ajo e luajti rolin e Leslie Deanit, nëna e një personazhi me superfuqi.
Roli i saj më i gjatë ishte në serialin “General Hospital”, ku u paraqit për 80 episode.
Ndërsa ajo ishte e njohur për rolet e saj televizive, të cilat përfshinin gjithashtu paraqitje të shkurtra në projekte të tilla si, “Angel”, “Boston Legal”, “Charmed”, “Frasier” dhe më shumë, Annie po ashtu e huazoi zërin për personazhe të videolojërave.
Paraqitjet e saj të fundit në ekran ishin në serialet “Star Trek: Picard” dhe “The Rookie”.

 

Back to top button