Vdiq kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci
Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, drejtori dhe kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Nazmi Mikullovci.
Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili ka vlerësuar lart kontributin e Mikullovcit për ekonominë dhe industrinë.
“Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi. Për mua ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë. Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj. Ngushëllime të sinqerta Familjes Mikullovci, miqve e bashkëpunëtorëve.”, ka shkruar ndër tjerash Kurti në Facebook.
Në anën tjetër familja e Mikullovcit ka njoftuar se varrimi do të bëhet sot në orën 12:00, në varrezat e Prishtinës në Dragodan.
“Të nderuar familjarë dhe miq. Ju njoftojmë që sot, më datë 3 mars 2023, e premte, ndërroi jetë më i dashuri ynë, bashkëshorti, baba, vëllai, gjyshi, Nazmi Ramadan Mikullovci”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Nga viti 1965 deri më 1990, Mikullovci ka punuar në ndërmarrjen “Trepça”, nga ku është larguar gjatë kohës së masave të dhunshme. Ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2008 ka qenë në pozitën e drejtuesit./21Media