Vendimin për targat, Hyseni e quan “lojë fëmijësh”

Ish-koordinatori për dialog, Skender Hyseni ka thënë se Kryeministri i vendit, “Albin Kurti po bën lojëra fëmijësh me targat”.
Hyseni, e quajti “të rrezikshme politikën e Kurti dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmanit”, ku tha se “ata po shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar për tri dekada”.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund ëshë ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë. Me veprimet e tyre politike, sinonim i popullizmit ekstrem, ata po punojnë kundër interesave fundamentale të shtetit të Kosovës duke rrezikuar të ardhmën tonë kolektive! Është koha e fundit që këta të ashtuquajtur liderë dhe politika e tyre të kundërshtohen frontalisht. Paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot i vie nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëminore politike! Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perendimore me në krye SHBA-të! Ndërkohë që sot Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrik e narcisoid, të cilët duke bërë lojra fëmijsh me TARGA, po rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokratike, përkatësisht me përkrahësit strategjikë të Kosovës në botë”, shkroi Hyseni.
Hyseni tha se koordinimi sistematik me SHBA-të e vendet e QUINT-it duhet të rikthehet në binarë.
“Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër. Nuk guxojmë të lejojmë që shteti ynë të ekspozohet ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kanë prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan. Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit duhet të rikthehet në binarë. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur. Duhet pa vonesë të ndalen lojrat e targave dhe Marrëveshja Gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë, të gjitha këto çështjet periferike, si kjo puna e targave, i bënë lehtë të zbatueshme”, shkroi Hyseni në Facebook.
Hyseni tha më tej se “nuk mund të ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje”.
“Janë çështje drejtëperdrejtë të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të rivendoset komunikimi dhe koordinim sistematik dhe harmonizimi i politikave me Administratën e Presidentit Biden duke respektuar rekomandimet. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për ruajtjen e partneritetit! Kurtit e Osmanit duhet t’u themi në unison: Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmën e vendit tonë!”, përfundon shkrimi i Hysenit./21Media

Back to top button