Nagavci: Zgjedhja e Rektorit/es të UP-së do të jetë proces i bazuar në meritë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se zgjedhja e Rektorit/es të UP-së duhet të jetë proces i bazuar në meritë e transparencë radikale.
“Zgjedhja e Rektores apo Rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës duhet të jetë dhe do të jetë një proces i bazuar në meritë dhe transparencë radikale. Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Rektores/Rektorit të ri. Konkursi do të jetë i hapur deri më datë 7 nëntor.  Është në përgjegjësinë time që të bëj thirrje e të motivojë kandidatet e kandidatët që gëzojnë integritet, përgatitje e arritje ndërkombëtare akademike, që punojnë pa kompromis për shkencën, universitetin e publiken dhe kanë vizion për të bartur detyrën e drejtimit të Universitetit, që të konkurrojnë në këtë konkurs publik”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci tha se si ministre e Arsimit, “nuk do të ndërhyjë e nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje tjetër në asnjë dimension”
“Si Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, jam e vendosur që të mos ndërhyjë dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje tjetër, në asnjë dimension të procesit të zgjedhjes së Rektores/Rektorit. Megjithatë, e kam detyrim ligjor e moral që t’i mbështes anëtarët përfaqësues të MAShTI-it në Këshillin Drejtues të UP-së që të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrën më profesioniste, transparente e të përgjegjshme. Bazuar në këtë, jam pajtuar me anëtarët përfaqësues të MAShT-it në Këshillin Drejtues të UP-së që ata të marrin përsipër e të garantojnë një proces të zgjedhjes se Rektores/Rektorit, që bazohet në parimin e transparences radikale, meritave dhe të sigurojnë monitorimit ndërkombëtar e aktivizmit civil”, vazhdon shkrimi i Nagavcit.
Nagavci ka thënë se do të kërkojë nga ambasadorët e QUINT-it dhe ta BE-së të mbështesin këtë proces.
“Për t’iu ndihmuar në arritjen e këtij objektivi, që dje kam filluar të adresojë zyrtarisht kërkesën për monitorimin e procesit të zgjedhjes së Rektores/Rektorit të ri. Dje iu drejtova me një letër zyrtare Ambasadorit të ShBA-së, dhe do t’i drejtojë të njëjtën kërkesë ambasadorëve të tjerë të QUINT-it dhe atij të Bashkimit Evropian, për mbështetje në këtë proces të rëndësishëm, ashtu si edhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm për përmirësimin e performancës në Universitetin e Prishtinës. Do t’i takojë personalisht akterët ndërkombëtarë në reformat e arsimit të lartë gjithashtu ditëve në vijim për t’iu kërkuar të njëjtën. Të njejtën do ta bëj edhe me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë procese të reformave arsimore që të diskutojë me ta dhe t’iu kërkojë përfshirje direkte në këtë proces”, ka thënë Nagavci./21Media 

Back to top button