Veprimet e Qeverisë u kanë hapur dyert që të kërkojnë rritje të pagave

Mustafa kërkon zgjidhje të menjëhershme

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me grevat në sektore të ndryshme, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje e menjëhershme. Këtë reagim Mustafa e ka bërë në rrjetin social Facebook, duke thënë se Qeveria përmes veprimeve që ka bërë, u ka hapur rrugën për të kërkuar rritje të pagave.

“Është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin mësimin dhe kur pacientët shtrëngohen të durojnë sëmundjet e tyre, pa e ditur se kur do të përfundojnë grevat. Konsideroj se duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore. Të sigurohet që pagat të jenë të njëjta për punë të njëjta dhe pagat të jenë në harmoni me kapacitetin buxhetor.  Qeveria ka bërë veprime, përmes së cilave ka hapur dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave. Nga njerëzit e këtij kabineti qeveritar jam kritikuar unë dhe qeveria ime se kemi lënë shumë borxhe për paga e mëditje, të cilat pastaj me vendimet guximshme i ka kryer kjo qeveri. Diçka nga kjo është e vërtetë. Qeveria ime i mbeti borxh para së gjithash vetvetes. Sepse vazhduam të punojmë me dyfish paga më të ulëta sesa tjerët. Por u angazhuam të ndërtojmë rregulla që pagat të mos caktohen me fushatë parazgjedhore dhe me vendime ad-hoc por me Ligj.”, ka shkruar Mustafa.

Më tej, ka bërë të ditur se rritja e pagave duhet të shkojë proporcionalisht me rritjen ekonomike. Ndër tjerash, ai ka thënë se duhet të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion.

“Që rritja e pagave të shkojë proporcionalisht me rritjen ekonomike dhe që të përcaktohet sistemi i pagave të njëjta për punë të njëjta. Ndryshe përfundojmë me krizë financiare si Greqia e para disa viteve, por me dallim se Greqia shfrytëzoi fondet e BE-së, si anëtare, e ne falimentojmë lehtë, sepse nuk jemi anëtare e BE-së.
Prandaj, pa marrë parasysh edhe sa ditë apo muaj i ka kjo qeveri, të gjithë duhet të sillen racionalist sa i përket arkës së shtetit por edhe kërkesave për rritje të pagave. Të punohet me FMN-në për kriteret, të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion dhe sistemi i pagave të përcaktohet me parime. Është dëm të pësojnë fëmijët, studentët, pacientët dhe qytetarët nga premtimet dhe mashtrimet gjatë fushatës dhe nga vendimet e pamatura!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë po hyjnë në javën e tretë të mosvijimit të procesit mësimor si rrjedhojë e grevës së mësimdhënësve. Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve nga 14 janari kanë hyrë në grevë./21Media

Back to top button