“Vera andrron detin” udhëton për në Festivalin e Filmit në Trieste

Kinematografia shqiptare mori hov vitin e kaluar, nisur nga filmat e fundit të realizuar, që i dhanë një shtytje pozitive artit.
“Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, do të vazhdojë rrugëtimin për në Festivalin e Filmit në Trieste të Italisë.
Lajmi u bë i ditur nga vet faqja zyrtare.
“Është vetëm janari dhe ne jemi kthyer në rrugë. Ndalesa jonë e parë e vitit 2022 është Italia, sharmi ynë me fat. Pas Venecias dhe Napolit, Vera këtë herë shfaqet në edicionin e 33-të të Festivalit të Filmit në Trieste“, thuhet në njoftim.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./21Media

Back to top button