Vërshimet e kanë përfshirë një të katërtën e Suharekës

 

Të reshurat e shiut që kanë filluar para dy ditësh kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të vendit. Malisheva, Suhareka, Rahoveci dhe Drenasi janë rajonet më të prekura nga vërshimet, pasi lumenjtë që përshkojnë këto rajone kanë dalë nga shtrati.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se nga mëngjesi të gjithë drejtorët komunalë kanë dalë në teren për të parë gjendjen e krijuar.

Ai ka thënë se janë tri fshatra më të prekura, ndërsa ka bërë të ditur se deri më tani gjendja është e menaxhueshme.

“Sot prej orës 10:00 të gjithë drejtorët komunalë janë në teren duke e përcjell gjendjen. Momentalisht kemi vërshime këtu në Verbicë që e lidhë komunën e Mamushës e lidhë edhe fshatin Tërnje, kemi në Samadraxh, Semetisht dhe në fshatin Studenqan. Momentalisht ekipet janë në teren tashmë kanë ardhur edhe zjarrfikësit. Vërshimet e kanë përfshirë një të katërtën e Suharekës, mirëpo në viset malore nuk kemi problem. Gjithashtu ku ka pas problem te Dubiqaku që i themi ne në Suharekë është e qetë, është duke u monitoruar gjendja. Momentalisht këto tri fshatra po mundohemi t’i sanojmë”, ka thënë ai.

Komuna e Suharekës është prej rajoneve që varet kryesisht prej bujqësisë. E Muharremaj lutet që dëmet të jenë sa më të vogla në bujqësi.

“Tash është sezon dimri besoj që nuk ka pasur mundësi të dëmtojë shumë kulturat bujqësore, por duhet të shikojmë se sa ka pasur vërshime dhe cila ka qenë sasia e ujit. Ekipet tona pasi të ndalen reshjet e shiut do të dalin në teren dhe të shohin se sa dëme ka pasur. Ka disa shtëpia të kapluara me uji dhe disa rrugë të bllokuara për shkak të ujërave të zeza. Por momentalisht situata është e qetë, por po mundohemi t’u dalim në ndihmë qytetarëve sa të kemi mundësi”, ka thënë Muharremaj./kp

.

Back to top button