Vërshimet i lanë pa mësim nxënësit e shtatë komunave
Nxënësit e shtatë komunave të Kosovës nuk kanë mbajtur sot mësim për shkak të vërshimeve nga reshjet e shiut.
Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit (MASHT), Arbërie Nagavci.
Nagavci ka treguar se mësim nuk është mbajtur në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë dhe Zubin Potok, si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
“Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre”, thuhet në njoftimin e Nagavcit në Facebook.
Sipas Nagavcit, fshatrat e Podujevës, Pakashticë dhe Peran, mësimi nuk është zhvilluar të premten. Në Pejë, mësim nuk është mbajtur vetëm në fshatin Kliqinë.
Në Istog, mësimi nuk është zhvilluar vetëm në shkollën “Avni Rrustemi”, teksa raportohet për dëme të mëdha në disa shkolla të tjera.
Bëhet e ditur se në katër fshatra të Vitisë ka pasur dëme të çative të shkollave, por mësimi është mbajtur.
“Ndërkaq, komunat të cilat kanë raportuar që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan”, ka njoftuar ministrja e Arsimit./21Media