Veseli: Nuk kam ndonjë informacion që ka mjekë të papunë Kosova

Kryeparlamentari Kadri Veseli u takua me disa specialistë mjekësorë të papunë që protestuan para Kuvendit

Pas rreth 2 orësh protestë  të mjekëve specialistë të papunë përpara objektit të Kuvendit të Kosovës, kryreparlamentari Kadri Veseli pranoi të takohet me një grup përfaqesues të atyre të cilët po kërkojnë të mos anulohet konkursi i Ministrisë së Shëndetësisë nga ana e Inspektoratit të punës.

Të pranishmit në takimin me kryeparlamentarin thanë se janë rreth 200 specialistë të papunë, shkruan rtv21.tv.

Kryeparlamentari Veseli, tha: “Në besë të shqiptarit nuk e kam ditë e as nuk kam ndonjë informacion që ka mjekë të papunë Kosova”.

Ai u tha specialistëve protestues të mjekësisë se do të gjendet rruga e duhur dhe në mënyrën më të mirë ligjore për të plotësuar kërkesat e tyre dhe se do të përkushtohen që të mos mbetet asnjë specialist i papunë.

Mjeku specialist, Arben Ademi i cili ishte i pranishëm në takim me Veselin tha: “Kërkesa jonë e vetme është me na mbështet dhe mos me e anulu konkursin”.

Ndryshe, Luljeta Durmishi, kardiologe, e cila është që 3 vjet e papunë gjatë proetstës u shpreh që ndjehet e diskriminuar pasi që nuk ka mundësi të ushtrojë profesionin e saj dhe është kundër anulimit të konkursit. Sipas saj janë gjithsej 16 kardiologë që presin të punësohen dhe konkursi është hapur vetëm për 2 kardiologë . /21Media

 

 

 

Back to top button